Kerko Mesazhet ketu

Saturday 29 September 2012

Virgjëra Mari: Kthimi në besim mund ta dobësojë ndikimin e antikrishtit

E Enjte, 23 Gusht 2012, në 12:40

Fëmija im, le ta dinë të gjithë fëmijët e Hyjit se sa më shumë kundërshtime të ketë ndaj Fjalës së Shenjtë të Birit tim, në këtë kohë, aq më të shumta do të jenë hiret e derdhura mbi dishepujt e Birit tim të Dashur.

Të gjitha profecitë e parathëna mund të dobësohen në shumë mënyra, nëse të gjithë fëmijët e Hyjit do ta pranonin hirin e kthimit në besim.

Kthimi në besim mund ta dobësojë ndikimin e antikrishtit. Lutjet tuaja ditore, duke përfshirë recitimin e Lutjeve të Kryqëzatës, do të ndihmojnë për ta sjellë këtë.

Për ata që e kundërshtojnë Misionin e Birit tim në tokë, unë kërkoj që ju të luteni për shpirtrat e tyre.

Kjo betejë për shpirtrat është intensive dhe ju duhet të ngriheni përmbi mundimet dhe fshikullimet për të më kërkuar mua që të lutem për shpirtrat e gjorë e të gënjyer, të cilët besojnë se flasin në Emër të Birit tim, por që në të kundërt, janë duke u mashtruar nga i ligu.

Biri im kurrë nuk do të heqë dorë nga kërkimi i Tij për shpirtra, sidomos për ata që e refuzojnë Atë, e tallin Fjalën e Tij të Shenjtë dhe që shpirtrat i kanë të nxirë nga mëkati.

Ju duhet të qëndroni të fortë, fëmijë, të gjithë ju dhe të mbeteni të vendosur në qëllimin tuaj për të bërë Vullnetin e Shenjtë të Birit tim.

Kjo nuk do të jetë e lehtë, por që të fitohet hyrja drejt Parajsës së Re nuk është e lehtë.

Ajo kërkon shumë durim, shumë lutje, shumë dashuri për njëri-tjetrin dhe aftësinë për t’i falur të gjithë ata që ju shkaktojnë hidhërim dhe që e njollosin Fjalën e Birit tim.

Faleminderit që ju përgjigjët thirrjes sime.

Nëna e Shpëtimit