Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 4 December 2012

Pavarësisht se sa të rëndësishme janë për ju gjërat që ju përkasin mbi këtë tokë, ato nuk kanë asnjë vlerë

E Mërkurë, 28 Nëntor 2012, në 19:40

Bija Ime fort e dashur, gjatë ndryshimeve, që së shpejti do të shpërthejnë në botë, askush nuk duhet të harrojë se ka qenë Hyji Ai që e krijoi botën dhe se do të jetë vetëm prej Dorës së Tij dhe Fuqisë së Tij që asaj do t’i vij fundi, siç ju e njihni atë.

Asnjë qeveri, asnjë udhëheqës apo njeri nuk mund ta kontrollojë ekzistencën e njerëzimit apo vdekjen, mbi të cilat vetëm Zoti mund të vendosë, se kur shpirti mund ta lërë trupin.

Pavarësisht se sa shumë të rëndësishme janë për ju gjërat që ju përkasin mbi këtë tokë, ato nuk kanë asnjë vlerë. Prapë shumë njerëz harxhojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre duke ndjekur një ëndërr për famë, pasuri dhe për grumbullimin e gjërave materiale, të cilat mund t'iu hiqen atyre në çdo moment.

Ja përse ata shpirtra, për të cilët Unë ndjej një dhembshuri të thellë, pësojnë humbje të pasurisë. Unë lejoj që ata të zhvishen nga gjithçka që zotërojnë me qëllim që Unë të mund t'i pastroj.

Shumë njerëz në botë kanë humbur shumë prej duarve të korrupsionit dhe organizatave lakmitare. Prapëseprapë, edhe pse ata kanë nevojë të hanë dhe të kenë një shtëpi për të jetuar, Unë e lejoj këtë vuajtje.

Sepse është vetëm atëherë që këta shpirtra do të kthehen tek Unë për ndihmë. Kjo është një formë pastrimi kështu që më pas, njeriu të mund të vijë para Meje me përulje, një cilësi kjo që është thelbësore të zotërohet, për të hyrë në Mbretërinë Time.

Mos kini frikë kur ta gjeni veten në këtë pozitë. Kjo do të jetë vetëm për një kohë të shkurtër dhe është si rezultat i vetë punës suaj. Me kalimin e kohës gjithçka do të bëhet mirë. Kjo do të jetë një kohë për të reflektuar mbi të ardhmen tuaj dhe vëndin, të cilin Unë e mbaj për ju në Parajsën Time të Re.

Ju duhet ta fitoni të drejtën për të ardhur me Mua. Koha juaj në tokë është e përkohshme. Shumë njerëz që e shohin botën si një vend të mrekullive materiale duhet ta kuptojnë se ato janë vetëm një fragment i dhuratave të bollshme dhe të lavdishme, të cilat i presin të gjithë ata prej jush që do të jetojnë në Epokën e Re të Lavdishme.

Koha juaj këtu është e përzier me dhimbje, pakënaqësi, urrejtje dhe dëshpërim për shkak të pranisë së Satanit.

Ju nuk mund ta shihni atë por ai dhe engjëjt e tij të rënë janë kudo duke ngacmuar, shtyrë dhe tunduar njerëzimin gjatë gjithë ditës.

Shumë njerëz nuk mund ta pranojnë faktin e ekzistencës së tij dhe kjo është shumë shqetësuese. Prapë, shumë njerëz nuk do ta mohojnë urrejtjen që mund të ndjejnë kur ata bëhen viktima të zemërimit të një personi tjetër. Urrejtja mund të vijë vetëm nga një burim. Ajo nuk është diçka që ekziston në vetvete. Ajo derdhet nga goja e bishës.

Për njerëzit që e lënë veten të ekspozuar, sepse nuk do të pranojnë se mëkati ekziston; ata do të bëhen shënjestër e lehtë për të ligun. Ata do të joshen ndaj tundimeve që ai vendos para tyre, zakonisht përmes mëkateve të mishit. Këta shpirtra janë një gjah i lehtë dhe nuk do të vuajnë si shpirtrat që i rezistojnë atij. Shpirtrat që më duan Mua, Jezusin e tyre, dhe që ndjekin Mësimet e Mia me një zemër të përulur janë ata mbi të cilët i ligu përqendrohet më së shumti.

Këta janë shpirtrat, të cilët Satani i ka tejet të vështirë për t’i fituar. Ata janë të njëjtët shpirtra që, përmes lutjeve dhe vuajtjeve të tyre për Mua, e bëjnë atë të struket dhe të lëngojë në agoni.

Ju që më doni Mua, do të jetë vetëm përmes këmbënguljes dhe qëndrueshmërisë suaj që ju mund ta mposhtni mbërthimin që ai e ka, dhe që dobësohet në çdo orë për shkak të këtij Misioni.

Nëse apo kur të jeni sulmuar gojarisht, për asnjë arsye të njohur, apo kur të pësoni fyerje në Emrin Tim, atëherë dijeni se lutjet tuaja po shpëtojnë shpirtra.

Ju lutem të qëndroni të heshtur gjatë këtyre sulmeve, sepse kur ju angazhoheni me sulmuesit tuaj, ju i jepni shumë forcë të ligut.

Qëndroni të fortë, dishepujt e Mi të dashur, për hatrin Tim. Unë do t'ju mbaj lart dhe së shpejti vuajtja juaj do të shkojë drejt mbarimit.

Jezusi juaj i Dashur