Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 14 July 2015

Si të hyni në Qiell – roli i vuajtjes

E Premte, 14 Janar 2011, në 10:00

Bija Ime e dashur, mënyra me të cilën Unë komunikoj me ty po fillon të ndryshojë. Ndërsa në Mesazhet e mëparshme, Unë i kam paralajmëruar fëmijët e Mi mbi urgjencën për t’u penduar për të arritur shpëtimin, komunikimet e Mia të tjera do të përqendrohen në ndihmesën e shpirtrave për të arritur përsosmërinë shpirtërore.

Parajsa, bija Ime, edhe pse është shtëpia që i përket secilit prej jush, nuk është e lehtë për të hyrë. Hyrja është e vogël dhe vetëm disa mund të hyjnë njëherësh. Për të hyrë, shpirtrat duhet të tregojnë përulësi dhe ta vendosin veten e tyre plotësisht në Duart e Mia. Ata duhet ta shtyjnë tutje krenarinë, vullnetin e fortë dhe zellin dhe lidhjen që ata kanë për gjërat materiale në Tokë, nëse duan të hyjnë në Qiell.

Të gjithë fëmijët e Mi të cilët po e fillojnë udhëtimin e tyre shpirtëror drejt Meje, tani që ata e kuptojnë të Vërtetën, duhet të punojnë fort tani dhe të kuptojnë cilësitë themelore për të hyrë në Mbretërinë e Atit Tim.

Rëndësia e përulësisë

Përulësia është një term që shumë nga fëmijët e Mi e kuptojnë përmes Mësimeve të Mia. Ndërsa shumë nga ndjekësit e Mi e kuptojnë përse është e rëndësishme, ata janë të paqartë se çfarë ajo përfaqëson me të vërtetë. Përulësia do të thotë sinqeritet. Ajo do të thotë të pranosh, me dinjitet, sprovat, sfidat dhe abuzimet me të cilat ju do ta gjeni veten përballë veçanërisht kur ju vini në Emrin Tim. Këshilla Ime më e mirë është kjo. Mendojeni veten si një fëmijë, një fëmijë i thjeshtë, i pafajshëm pa asnjë njohuri të shoqërisë së ligë që ju do të përjetonit normalisht si një i rritur. Komunikoni në çdo kohë në lutjet tuaja tek Unë përmes syve dhe zemrës së një fëmije.

Mbani lutjet dhe komunikimin e thjeshtë. Unë nuk pres që ju t’i recitoni të gjitha Lutjet e dhëna botës, prej Dashurisë. Hidhini sytë lart dhe ndajini problemet tuaja me Mua. Ndajini vuajtjet tuaja. M’i dhuroni ato Mua. Ju do të shpërbleheni shumë kur ta pranoni hidhërimin apo vuajtjen në jetën tuaj, për Mua. Ju mund të mos e kuptoni këtë, por kur e bëni, ju jeni duke shpëtuar shumë shpirtra dhe po shtroni udhën për ta, që të hyjnë në Qiell. Ky fakt nuk do t’ju tregohet derisa edhe ju gjithashtu, të hyni në Qiell, ku do të shijoni lavdinë e dhuratës suaj bujare për Mua.

Mos u bëni nervoz kur e mbroni Besimin tuaj

Kur tregoni përulësi kjo do të thotë të pranoni se çfarë ndodh rreth jush, edhe pse mund të jetë e dhimbshme. Tregoni dinjitet gjatë gjithë kohës, madje edhe kur Emri Im është i përbuzur në shoqërinë tuaj. Me çdo kusht mbroni – dhe me pasion, nëse kështu dëshironi – por kurrë mos e shpërfillni abuzuesin duke e përbuzur atë publikisht.

Shpjegojeni të Vërtetën e Mësimeve të Mia me qetësi. Mos u bëni nervozë. As mos tregoni frikë ndaj abuzuesit. Qëndroni të palëkundur. Mbrojeni veten, por vetëm duke përsëritur Mësimet e Mia. Kurrë mos kini frikë të flisni hapur të Vërtetën. Mos e ngatërroni përulësinë me servilizmin. Disa nga ndjekësit e Mi që e kuptojnë rëndësinë e përulësisë dhe rëndësinë e saj në shenjtërimin e shpirtrave, e ngatërrojnë këtë duke qëndruar të heshtur kur Emri Im tallet në publik. Po, ju kurrë nuk duhet ta gjykoni personin që më tall Mua, apo Atin Tim të Përjetshëm, apo, në të vërtetë, Nënën Time të dashur të Bekuar, por ju duhet të këmbëngulni në mbrojtje të së Vërtetës.

Pikëllimi, një Dhuratë nga Hyji

Kur më flisni Mua, si një fëmijë, kuptojeni këtë. Nëse ju i hapni zemrat tuaja dhe e vini gjithë besimin tuaj tek Unë, Unë do t’ju udhëzoj kur ju të vuani pikëllim në këtë Tokë. Mos ma ktheni shpinën Mua. Ndërsa është tepër i dhimbshëm, fëmijët e Mi, konsiderojeni pikëllimin një Dhuratë nga Hyji. Një bekim. Sepse është përmes pikëllimit dhe vuajtjes që purifikimi ndodh. Ofrojini vuajtjet tuaja tek Unë. Duke e bërë këtë, ju lehtësoni torturën që Unë duroj, kur Unë e përjetoj dhimbjen e Mundimit Tim në Kryq, përsëri, çdo ditë ndërsa Unë dëshmoj tmerrin nëpër botë sot.

Purifikimi që ndodh kur ju e pranoni pikëllimin apo dhimbjen, pavarësisht se sa i keq, kur ofrohet me gëzim për shpëtimin e njerëzimit, nuk mund të kuptohet në të vërtetë nga ju, fëmijët e Mi. Por ndërsa ju afroheni më tepër tek Unë, duke i hapur zemrat tuaja, duke e braktisur vullnetin tuaj tek Unë dhe duke u dorëzuar plotësisht tek Unë, ju do të kuptoni më tepër. E shikoni, është vetëm duke e bërë këtë që ju do të jeni të bashkuar me Mua. Dhe kur ju jeni të bashkuar, sprovat dhe vuajtjet tuaja në Tokë do të lehtësohen. Me kalimin e kohës ju do ta pranoni vuajtjen me gëzim në zemrat tuaja, sidomos kur ju e ofroni atë si një dhuratë tek Unë.

Vuajtja është një Dhuratë nga Hyji dhe është e lejuar. Shpirtrat që ju do t’i ndihmoni të shpëtojnë ju garantojnë një vend në Mbretërinë e Atit Tim.

Këto Mësime nuk janë të reja, fëmijët e Mi. Është thjesht se ju nuk keni qenë kujtuar për të Vërtetën e thjeshtë. Mesazhet dhe Mësimet e Mia kurrë nuk kanë ndryshuar. Ato janë të thjeshta dhe janë të përmbledhura në Ungjill dhe në 10 Urdhërimet. Thjesht mbajeni mend se kur ju e jepni veten tek dikush, ju e jepni veten tek Unë. Tregoni dashuri ndaj fqinjit tuaj dhe ju tregoni dashuri ndaj Meje.

Trajtojeni atë në mënyrën që ju do të prisnit të trajtoheshit vetë. Dhe kurrë mos harroni se kur ta shikoni veten të bëheni nervoz me të tjerët dhe tundoheni për t’i lënduar ata, apo për t’i ndëshkuar ata në ndonjë mënyrë, Unë Jam I pranishëm tek ata – madje edhe tek ata që më urrejnë Mua. Shkaktojini dëmtim ndonjërit nga fëmijët e Mi dhe ju më bëni të njëjtën gjë Mua.

Me kalimin e kohës, fëmijët e Mi, të gjitha këto veprime të hijshme do të kenë kuptim. Lutuni çdo ditë për forcën për ta jetuar jetën tuaj në Emrin Tim. Dijeni se çdo herë që ju falni një tjetër, edhe pse ai mund të duket si armik, ju e zmadhoni Zemrën Time të Dashurisë dhe Mëshirës. Për këtë, ju do të merrni lumturi të përjetshme në Qiell.

Lutuni për këmbëngulje. Imitojeni Jetën Time. Nuk do të jetë e lehtë. Por veprimet tuaja, pavarësisht se sa të vogla, do të ndihmojnë shpirtra.

Mësuesi dhe Shpëtimtari juaj i dashur
Jezu Krishti, Një me Hyjin - Atin e Përjetshëm dhe Shpirtin e Shenjtë