Kerko Mesazhet ketu

Monday 23 November 2015

Mesazh drejtuar priftërinjve, Peshkopëve dhe Kardinalëve mbi profetin e rremë

E Martë, 7 Qershor 2011, në 15:50

Bija Ime fort e dashur, ti ke vuajtur sepse mashtruesi po të mundon. Ti duhet të lutesh fort për t’i rezistuar sulmeve të tij mbi ty. Vendose të gjithë besimin tënd tek Unë dhe pastaj më lër Mua që të merrem ato. Përkundrazi, ti po shqetësohesh, kur ti duhet ta ofrosh këtë vuajtje tek Unë me gëzim në zemrën tënde. Nëse ti vazhdon t’ia kujtosh vetes se është për shkak se ti je e bashkuar me Mua që këto vuajtje të ndodhin dhe se ti je me të vërtetë e bekuar si një shpirt i zgjedhur, atëherë ti do të ndjehesh ndryshe.

Shumë nga ndjekësit e Mi tani po fillojnë ta kuptojnë se çfarë është duke ndodhur në botë dhe përmes hireve të Shpirtit të Shenjtë ata po ngrihen ndaj sfidës për ta mbrojtur Fjalën Time. Kjo ushtri e besimtarëve do të bëhet më e fortë tani dhe do t’i udhëheqë pa frikë mëkatarët drejt shpëtimit.

Zëdhënësi Im i Shenjtë, Papa Benedikti, ka nevojë për lutjet tuaja. Lutuni përditë për të sepse ai ka nevojë për mbrojtje në çdo nivel për të kapërcyer mundimin që shtrihet para. Është e rëndësishme që ndjekësit e Mi të qëndrojnë vigjilentë ndaj ndonjë pape të ri që mund të vijë sepse ai nuk do të jetë nga Hyji. Ju lutem t’i bëni thirrje të gjithë shërbëtorëve të Mi të shenjtë që të përgatiten për sfidat e tmerrshme, më të frikshmet me të cilat do t’ju duhet të përballen ndonjëherë në shërbesën e tyre. Do të kërkohet guxim i madh për t’u ngritur ndaj të Vërtetës së Mësimeve të Mia. Kaq shumë nga shërbëtorët e Mi të shenjtë janë të verbër ndaj premtimeve që Unë bëra, kur Unë thashë se do të vija përsëri. Kur menduan ata se do të ishte kjo? Kaq shumë janë mësuar ata t’i recitojnë Mësimet e Mia saqë kanë harruar se mund t’i dëshmojnë këto ngjarje në çdo kohë dhe, ndoshta, edhe gjatë jetës së tyre. Sepse kjo është një nga sfidat më të mëdha sot.

Nëse Unë dërgova profetë në botë mijëra vjet më parë, atëherë sigurisht, Unë do t’i dërgoj ata përsëri gjatë periudhës për ta përgatitur botën për kur Unë të kthehem përsëri.

Zgjohuni ndaj mësimeve që ju ia mësoni kongregacionit tuaj. Kuptojeni se jam Unë që po ju flas tani. Shumë do të vijnë në Emrin Tim, por pak do të flasin të Vërtetën. Ky Mesazh vjen nga Unë, Shpëtimtari juaj Hyjnor. Lutuni për dijen për ta njohur Zërin Tim të Vërtetë kur t’ju jepet. Hapini zemrat tuaja tani dhe dëgjoni se çfarë Unë kam për t’ju thënë. Koha ka ardhur, për t’ju informuar, se profecitë e përmbajtura në Librin e Zbulesës janë gati për t’u shpalosur përpara syve tuaj.

Ju, shërbëtorët e Mi të dashur, duhet të luftoni me trimëri, prej dashurisë suaj për Mua, kundër pengesave të vëna nga mashtruesi që do t’ju sfidojnë deri në fund të durimit tuaj. Ju duhet ta pranoni se profeti i rremë është gati për t’ju joshur. Për t’ju magjepsur. Për t’ju bindur se ai përfaqëson të Vërtetën. Ju tani duhet të tregoni besnikërinë tuaj ndaj Meje, dhe Atit Tim të Përjetshëm. Ju lutem të mos dëshpëroheni. Sepse megjithëse këto ngjarje do t’ju frikësojnë dhe do t’ju shqetësojnë, aleanca dhe besnikëria juaj duhet të jenë ndaj Meje.

Për herë të parë në shërbesën tuaj, besimi juaj do të vihet me të vërtetë në sprovë tani. Kisha e Pjetrit është Kisha Ime. Por kur Çelësat t’i jenë dorëzuar Hyjit Atë, siç do të jenë tani, Kisha bëhet pjesë e Mbretërisë Sime. Unë Jam e Vërteta. Ndiqni të Vërtetën në çdo kohë.

Lutuni tek Unë tani, për hiret që duhen për të siguruar që ju të ngriheni ndaj mashtrimit të Satanit në kohë. Përndryshe profeti i rremë do t’i zërë në kurth fëmijët e Mi të dashur përmes mënyrave të tij tërheqëse dhe joshëse, mënyrave të mashtruesit, me të cilin ai është i ndërthurur. Satani nuk do të fitojë mbi Kishën Time nëse shërbëtorët e Mi janë vigjilentë ndaj mashtrimit dhe e shohin atë për çfarë është. Një gënjeshtër djallëzore, nga e cila, nëse ju përfshiheni dhe i premtoni besnikëri kësaj neverie të re, nuk do të ketë asnjë kthim!

Më dëgjoni Mua tani. Kthehuni tek Unë për udhëzim dhe për hiret e veçanta që kërkohen për ta udhëhequr grigjën Time që të kthehet tek Unë dhe Ati Im Qiellor. Sepse kur ju ta bëni, Unë do të hedh hire të atilla saqë nuk do të zgjasë përpara se ju ta fitoni forcën për të mbrojtur Fjalën Time, me çdo kusht.

Unë ju dua të gjithëve dhe e dëshiroj mbështetjen tuaj gjatë këtyre kohëve të fundit.

Jezu Krishti