Kerko Mesazhet ketu

Tuesday 26 September 2017

Jeta Tjetër

E Shtunë, 11 Dhjetor 2010, në 09:15

Bija Ime fort e dashur, ti je gati tani për të ecur përpara dhe të vazhdosh me detyrën e përfundimit të Librit Tim të Shenjtë të së Vërtetës. Ti, bija Ime, ke qenë duke kaluar pastrimin e kërkuar për të të dhënë forcën për këtë Punë.

Fëmijët e Mi, kaq të kapur pas kësaj bote me dy pjesë, nuk e kuptojnë, se së shpejti, e gjitha do të bëhet një. Dy pjesët përfshijnë trishtimin dhe gëzimin. Trishtimi ekziston në botë në një mënyrë që shkakton çorientim dhe dëshpërim të thellë. Është një trishtim si asnjë tjetër që nga themelimi i Tokës.

Trishtimi që ndjehet sot, është i bazuar mbi humbjen, e cila ka ndodhur meqenëse gjërat materiale janë hequr. Ka gjithashtu dëshirë për paqen e mendjes, trupit dhe shpirtit. Kjo do të vijë vetëm nëpërmjet përulësisë, pranimit dhe dashurisë ndaj Atit Tim të Përjetshëm. Pastaj vjen gëzimi. Unë buzëqesh, me dashuri, kur fëmijët e Mi qeshin, buzëqeshin dhe gëzojnë. Kjo është një Dhuratë nga Unë. E qeshura dhe gëzimi është një Dhuratë e rëndësishme ndaj njerëzimit, kur është e pastër dhe jo në dëm të njëri tjetrit.

Bijtë e Mi besim-pakë, është e vështirë, Unë e di, që të ndaloni dhe të thoni “Unë po kthehem tek Hyji.” Sa shumë prej jush janë të pavetëdijshëm se Kush është Ati i Përjetshëm. Pak e kuptojnë se Ai vëzhgon mbi ta çdo ditë të vetme të jetës së tyre – secilin dhe çdonjërin prej tyre. Ai buzëqesh, qesh dhe ndjen një ndjenjë të madhe gëzimi kur fëmijët e Tij janë të lumtur. Megjithatë, Ai nuk shikon me pëlqim mbi ata të cilët gëzimin e tyre, apo atë që e mendojnë të jetë gëzim, e arrijnë pa dashuri në zemrat e tyre.

Unë, Shpëtimtari juaj, Jezu Krishti, ju dua të gjithëve, fëmijët e Mi, gjithashtu. Sepse Unë Jam Një me Atin Tim të Përjetshëm. Unë ju buzëqesh të gjithëve dhe shpresoj që ju do të ktheheni tek Unë.

Ejani tek Unë, fëmijët e Mi, të bashkuar në një dhe ecni drejt Meje me zemra të hapura.


Për shumë nga fëmijët e Mi, Mesazhet, që i referohen Ardhjes Sime të Dytë në Tokë, shkaktojnë frikë në zemrat e tyre. Nuk është nevoja të trembeni. Ky do të jetë një moment i gëzimit të plotë, lavdisë dhe lumturisë së pastër. Sepse për të gjithë ju, që i ktheni zemrat tuaja tek Unë, Unë do t’ju mbaj në Krahët e Mi dhe do të derdh Lot Gëzimi.

Besimtarë, ju lutem, ju lutem të luteni tani, për ata që nuk besojnë, apo që e kanë humbur udhën e tyre. Bariu që e mbledh grigjën e tij gjithmonë do të përpiqet t’i kërkojë, pa pushim, ata që janë të humbur. Ëmbëlsia e fitores që ai ndjen, kur ato kthehen tek ai, është e njëjtë me atë ndjenjë që Unë e kam kur fëmijët e Mi të humbur kthehen tek Unë.

Fëmijë, edhe gjatë momenteve të gëzimit dhe të qeshurave në këtë Tokë ju lutem të kujtoni një gjë. Kjo është veçse një grimcë e lumturisë dhe e gëzimit të pastër që do të ekzistojë në Tokën e Re kur Parajsa e humbur të shfaqet. Kur kjo të ndodhë, njerëzit e zgjedhur, ata që bëjnë jetë të mira, që besojnë në Krijuesin e tyre, do të bashkohen me të vdekurit e ringjallur; ata njerëz, miq dhe familjarë që kanë ikur nga kjo jetë, do të bashkohen me Mua, në këtë përjetësi të re të lavdishme. 

Mbajeni mend fëmijë, është e rëndësishme që të mos merret kjo Tokë si e mirëqenë. As edhe të besoni se gjithçka në të është nën kontrollin tuaj, sepse nuk është. Ndërsa ju vazhdoni të konsumoheni nga premtimet, zhgënjimet, gëzimet dhe mrekullitë e saj, mbajeni mend se është vetëm një vend i përkohshëm, një fazë kalimtare, përpara se të hyni në Mbretërinë e Atit Tim – Qielli dhe Toka e Re, të cilat do të bëhen një.

Një thirrje të fundit, fëmijët e Mi, lutuni tek Unë, me fjalët tuaja. Më kërkoni Mua t’ju udhëzoj. Më kërkoni Mua t’ju tregoj dashuri dhe të Vërtetën në një mënyrë që të jetë e kuptueshme. Mos e mbani kokën të zhytur në rërë sepse përndryshe ju nuk do ta shijoni lavdinë e Tokës së Re.

Udha e zbrazët drejt asgjëje

Fëmijët që më tallin dhe më mohojnë Mua, do t’ju thonë se nuk ka jetë, pas kësaj. Më lejoni Mua t’ju siguroj, se ata jo vetëm që po i mohojnë vetes hyrjen në Parajsë, por ata po zgjedhin një udhë të zbrazët drejt asgjësë. Në disa raste, ata po ndjekin mashtrimin e mashtruesit – të ligut – që lëviz me kaq heshtje dhe me një aftësi vdekjeprurëse, saqë ata, duke mos e besuar se ai ekziston, e ndjekin verbërisht, duke mbajtur dorën e tij, përgjatë portave të Ferrit.

Vuajtja Ime në Kopshtin e Gjetsemanit

Kur besimtarët e Mi i shohin këta njerëz të krekosen me arrogancë dhe duke u mburrur për ateizmin e tyre, ata ndjejnë një vuajtje të tmerrshme. Ata, që e kanë marrë Kryqin Tim, ndjejnë agoninë që Unë pësova, gjatë kohës Sime në Kopshtin e Gjetsemanit. Këtu Unë e kuptova se, edhe pse Unë vullnetarisht e bëra Sakrificën përfundimtare, kur Unë e pranova vdekjen si një mjet për t’iu dhënë fëmijve të Mi mundësinë për të fituar një vend në Mbretërinë e Atit Tim, Unë njoha në thellësi se nuk do të bënte ndonjë ndryshim për disa nga fëmijët e Mi. Kjo qe agonia më e keqe dhe ajo që më bëri Mua të djersitja Gjak. Tmerri që Unë ndjeva, për këta shpirtra të humbur, akoma ekziston tek Unë sot.

Atyre prej jush që pyesin – nëse Ti je Hyji, apo nëse Ti je Jezu Krishti, atëherë me siguri Ti mund të bësh diçka? Përgjigja Ime është, sigurisht, me përjashtim të një gjëje. Unë nuk mund të ndërhyj me vullnetin tuaj të lirë të dhënë njerëzimit. Do t’i takojë fëmijëve të Mi që ta bëjnë këtë zgjedhje të tyre përfundimtare sipas vullnetit të tyre të lirë.

Krishti juaj i dashur