Thursday, 12 October 2017

Ka vetëm një të vërtetë. Një dritë. Çdo gjë tjetër është një gënjeshtër

E Diel, 1 Janar 2012, në 17:30

Bija Ime fort e dashur, dije se sado i vështirë të jetë ky Mision, Unë nuk do të mbetem pa të drejtuar ty.

Zëri Im të inkurajon ty në çdo kohë. Shpirti Im e prek zemrën tënde kështu që ti je e pafuqishme kundër Tij. Dashuria Ime është kaq mbështjellëse, saqë ti nuk je në gjendje të më kthesh Mua shpinën apo të më mohosh Mua. Megjithatë ti e shikon se pengohesh përgjatë udhës.

Kur ti provon ta analizosh fjalën Time, ti do ta shikosh se nuk je në gjendje për ta bërë këtë me sukses. Asnjë sasi analizash nuk mund ta ndryshojë të Vërtetën e asaj që Unë them.

Askush, përfshirë edhe ti, bija Ime, nuk e ka autoritetin për ta përdredhur kuptimin e Fjalës Sime të Shenjtë që ajo të bëhet më e pranueshme në sytë tuaj.

Kjo i referohet Fjalës Sime që përmbahet në Biblën e Shenjtë dhe Fjalës Sime që gjendet brenda këtyre Mesazheve.

Ki besim tek Unë më shumë, bija Ime. Kërkoju fëmijëve të Mi dhe të gjithë ndjekësve të Mi të dashur që të kenë besim tek Unë plotësisht.

Unë kurrë nuk do ta braktis njerëzimin. Unë kurrë nuk do t’ua kthej shpinën thirrjeve të fëmijëve të Mi të dashur. Unë gjithmonë do t’iu përgjigjem shpirtrave të gjorë që lypin Mëshirën Time.

Ajo që Unë kurrë nuk do ta bëj, bija Ime, është që t’iu flas fëmijëve të Mi për t’iu përshtatur nevojave të tyre dhe që t’iu jap atyre atë që ata duan të dëgjojnë.

E vërteta duhet të tregohet. Fjala Ime e Shenjtë kurrë nuk duhet të dobësohet, apo të manipulohet.

Fjala Ime e shenjtë kurrë nuk duhet të ndryshohet, të modifikohet apo të përdridhet, për t’u bërë një gënjeshtër.

Dijeni se koha për Drejtësinë Time është pranë. Kuptojeni se Mëshira Ime është e madhe, por ligësia që Unë shoh në botën tuaj më shkakton Mua neveri.

Kjo ligësi është e justifikuar madje edhe nga ata që dëshmojnë Fjalën Time dhe që deklarojnë se më njohin Mua.

Ata i kanë përdredhur mësimet e Mia ndër shekuj për t’ia përshtatur koprracisë, joshjes, krenarisë dhe lakmisë së tyre.

Sa më thyhet Zemra kur shikoj vepra shthurjeje të paraqitura përpara Meje dhe kur shoh se si fëmijët e Mi gënjehen duke besuar se këto vepra janë të pranueshme në Sytë e Mi.

Zgjohuni ndaj të Vërtetës. Mëshira ime e madhe është gati për t’iu ofruar çdonjërit shpirt gjatë Paralajmërimit.

Por kini kujdes. Ata të Krishterë që besojnë se e vërteta e shtrembëruar e Mësimeve të Mia do të jetë e pranueshme në sytë e Mi, do të tronditen gjatë Paralajmërimit. Ata do t’i rezistojnë të Vërtetës kur Unë ta zbuloj se si mëkatet e tyre më fyejnë aq fort Mua.

Unë iu bëj thirrje këtyre njerëzve që ta pranojnë së Unë Jam e Vërteta dhe Drita. Ka vetëm Një të Vërtetë. Një Dritë. Çdo gjë tjetër është një gënjeshtër.

Analizojeni ndërgjegjen tuaj, fëmijë, ndershmërisht përpara se Paralajmërimi të ndodhë. Mësoni ta identifikoni të Vërtetën përpara se ju të vini para Meje. Sepse atëherë dhe vetëm atëherë vuajtja juaj do të pakësohet.

Mësuesi dhe Shpenguesi juaj
Shpëtimtari i gjithë Njerëzimit, Jezu Krishti

https://fatherofloveandmercy.wordpress.com/2012/01/01/there-is-only-one-truth-one-light-anything-else-is-a-lie/